SHBA akuzon ashpër Rusinë

Shtetet e Bashkuara akuzuan ashpër Rusinë se po bombardon në mënyrë barabare, civilët në Alepo. Sipas raportit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara në Siri, bombat e përdorura shkatërrojnë bunkerë dhe gjatë shpërthimit e bëjnë natën ditë.

Shtetet e Bashkuara akuzuan ashpër Rusinë për barbarizma në Siri. Deklaratën e bëri ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samanta Pauer. Duke folur gjatë sesionit emergjent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Pauer tha se bombardimet e avionëve rusë po vrasin civilë në Alepo, në operacionet në mbështetje të avancimit të trupave të presidentit sirian Bashar al-Asad kundër rebelëve.
Pauer akuzoi Rusinë se nuk është e angazhuar për paqen në Siri. Sikurse tha ajo, Rusia po vepron ndryshe nga çkishte premtuar dhe se në këtë vend nuk do të ketë paqe derisa Moska është e angazhuar për të vijuar luftën.
Sipas raportit të të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara në Siri, Stafan de Mistura, rusët dhe trupat e Asadit po hedhin bomba jashtëzakonisht të fuqishme në Siri, që shkatërrojnë bunkerë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, de Mistura tha se bombat janë aq të fuqishme saqë gjatë shpërthimit e bëjnë natën ditë.
Por ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin hodhi poshtë këto akuza, dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë dështuar në ndalimin e grupeve revele. Ndaj dhe paqja sipas tij është e pamundur. Diplomati rus tha se Rusia dhe trupat e Asadit po bëjnë të pamundurën për të shmangur sa më shumë civilët, por rebelët po i përdorin ata si mburojë njerëzore.
Sesioni i jashtëzakonshëm i Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara u thirr nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, në prag të dështimit të armëpushimit, për të cilin u ra dakord në fillim të këtij viti.
Që prej nisjes së ofensivës kundër rebelëve, në Alepo janë vrarë mbi 200 civilë, mes të cilëve gra e fëmijë.

Aktualitet

Archives