TIKA rikonstrukton shkollën “Mustafa Kemal Ataturk” në Zallherr të Tiranës

Në një fjalim të mbajtur gjatë kësaj ceremonie Bayraktar tha se kanë qenë vazhdimisht pranë kësaj shkolle e cila mban emrin e themeluesit të Turqisë bashkëkohore, Mustafa Kemal Ataturk

Është zhvilluar sot ceremonia për hapjen e shkollës 9-vjeçare “Mustafa Kemal Ataturk” në Zallherr të Tiranës me rastin e mbarimit të punimeve të rikonstruksionit të kësaj shkolle të realizuara nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni merrnin pjesë ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, këshilltari për Arsimin pranë kësaj Ambasade, Yahya Irmak, zëvendëskoordinatori i TIKA-s në Tiranë, Uğur Ferhat Korkmaz, zyrtarë të arsimit në këtë zonë, drejtoresha e kësaj shkolle Liri Neziri, mësues, nxënës dhe familjarë të shumtë.

Ceremonia nisi me himnet e dy vendeve dhe më pas vazhdoi me prerjen e shiritit të inaugurimit nga ambasadori Bayraktar dhe drejtoresha e shkollës Neziri.

Në një fjalim të mbajtur gjatë kësaj ceremonie Bayraktar tha se kanë qenë vazhdimisht pranë kësaj shkolle e cila mban emrin e themeluesit të Turqisë bashkëkohore, Mustafa Kemal Ataturk.

“Në festën e fëmijëve të cilën na e ka lënë Ataturku më 23 prill, ju dhashë fjalën mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle për të rikonsturktuar këto ambiente. Falë punës së palodhshme të TIKA-s ne arritëm të mbajmë fjalën e dhënë duke bërë që këta nxënës të fillojnë këtë vit shkollor në ambiente të reja”, është shprehur Bayraktar. Ai ka shtuar se shpreson që nxënësit e kësaj shkolle një ditë të mund të ndjekin arsimin në Turqi, në një nga 20 vendet më të zhvilluara në botë.

“Ne presim nga shteti shqiptar që të hedhë hapat për të marrë masat kundër tyre në Shqipëri. Bashkë me Fondacionin Maarif, Ministrinë e Arsimit të Turqisë, TIKA-n dhe Institutin Yunus Emre jemi të gatshëm që të përballojmë këtë kontribut të arsimit, madje të japim më shumë për arsimin në Shqipëri”, tha Bayraktar.

Nga ana tjetër në një deklaratë për AA, drejtoresha e shkollës, Liri Neziri, u shpreh se ka 30 vite në këtë shkollë si mësuese, por prej 3 muajsh është në postin e drejtoreshës. Duke nënvizuar se ndihma nga Ambasada e Turqisë në Tiranë ka qenë e herëpashershme, Neziri thotë se këtë herë është bërë një investim i cili ka sjellë një ndryshim rrënjësor të shkollës.

“Gjendja e shkollës ka qenë pothuajse e rrënuar dhe jo funksionale. Këtu ka ndryshuar çdo gjë si në ndërtim ashtu edhe në motivim. Kam parë një angazhim maksimal nga punonjësit e TIKA-s në mënyrë që të bëhej një punë sa më e mirë. Jo vetëm ne, por edhe komuniteti këtu është shumë i kënaqur nga puna dhe ndryshimet e bëra. Falënderoj të gjithë autoritetet turke për këtë ndihmë”, tha Neziri në përfundim të fjalës së saj.

Të gëzuar për këtë rikonstruksion ishin edhe nxënësit e shkollës. “Nga klasa e parë deri më tani puna me mësimet shkonte shumë mirë. Por babai im kërkoi të më dërgojë në një shkollë në qytet pasi kushtet fizike këtu ishin shumë të vështira. Bankat dhe karriget ishin të prishura. Po ashtu edhe ambientet e tjera. Me rikonstruktimin e shkollës unë vazhdoj të jem këtu. Jam shumë e lumtur, tha për AA Fjona Lami, një nxënëse e klasës së 8-të në këtë shkollë.

Sipas informacioneve të marra nga TIKA, mësohet ky institucion me rikonstruksionin e shkollës “Mustafa Kemal Ataturk” ku problemet ishin nga më të ndryshmet, ka ndërhyrë në të gjitha ambientet e saj nga brenda dhe jashtë, duke krijuar ambiente bashkëkohore për nxënësit e saj.

Aktualitet

Archives