Eposi i Kreshnikëve: Pesë vendet e Ballkanit presin UNESCO-n

Grupi i punës, i krijuar me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2010, ka përfunduar punën e vet dhe dosja “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” është pranuar nga UNESCO, ku qëndron në pritje për vendimmarrje për regjistrimin në programet e saj. Pas Kosovës, promovimi i eposit të fundit të mbijetuar në Ballkan, një përmbledhje me 15 vëllime sot prezantohet edhe në Akademinë e Shkencave në Tiranë

Paraqitja e vlerave të Eposit të Kreshnikëve, monumentit më të madh të poezisë gojore shqiptare, pasqyrimi i veçorive të tij autoktone, si dhe dokumentimi i tij në UNESCO si vlerë sublime gojore e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit vjen i përmbledhur si projekt në 15 vëllime. Përurimi i dosjes shkencore është përgatitur nga grupi i punës ngritur me Vendim të Qeverisë së Kosovës nr. 02/103, datë 14.1.2010, për regjistrimin e eposit shqiptar të kreshnikëve në listat e UNESCO-s për Trashëgiminë Jomateriale të Njerëzimit, titulluar Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit, realizuar pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe nderuar me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”, 2016.

Pas Kosovës promovimi i eposit të fundit të mbijetuar në Ballkan prezantohet sot edhe në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Për këtë ka një program prezantues kur do të jenë të pranishëm Ministri e Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami si dhe do të lexohet edhe përshëndetja e përfaqësuesit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Përurimi i 15 vëllimeve të projektit Eposi i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit, u bë së pari në skenën e festivalit “Etno Fest”, nga prof. dr. Zymer Neziri, kryetar i grupit të punës për paraqitje të rezultateve të projektit “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit”, të viteve 2009-2016, fjalë të cilën do ta paraqesë sot edhe në Tiranë.

Sipas programit janë prof. dr. Begzad Baliu, që do të paraqesë rezultatet e nëngrupit të punës, në vitet 2009-2012; si dhe prof. dr. Shaban Sinani, që do të referojë për paraqitjen e përmbajtjes së dosjes shkencore “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” (2009-2016). Në ditën e sotme do t’i komunikohet medias edhe paraqitja e certifikatës “Europa Nostra” dhënë projektit kërkimor-shkencor (2009-2016)  për dosjen “Eposi shqiptar i kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit”, paraqitet nga drejtuesi i grupit të punës, prof. dr. Zymer Neziri.

Më herët në festivalin Etno-Fest, Neziri ka treguar se në këto vëllime ka grumbulluar e hedhur në letër me qindra mijëra vargje të epikës shqiptare. Sipas Nezirit, Eposi i Kreshnikëve të shqiptarëve jeton si vlerë etnokulturore e trashëgimisë shpirtërore, jo vetëm të Ballkanit por edhe të Evropës, pra është një vlerë universale e etnokulturës së njerëzimit.

“Në këto materiale është kryesisht kënga e Eposit të Kreshnikëve, e ciklit të Mujës e Halilit dhe janë këngë që ende kanë mbijetuar në fillim të këtij mijëvjeçari, ku nuk ka të tjera epose që kanë mbijetuar në Evropë. Ky është eposi i fundit që ka mbijetuar. Ky epos paraqet edhe një realitet të trashëgimisë etnokulturore të Evropës”, ka thënë Neziri.

Pesëmbëdhjetë librat e prezantuar janë të ndara në vëllime, ku secili vëllim përfshin një krahinë shqiptare deri në Maqedoninë Perëndimore. Në këto vëllime janë përfshirë gjithsej 440 këngë, 69 tregime, 100.002 vargje dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamera.

Aktualitet

Archives