Erdoan: OKB-ja duhet të reformohet

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në fjalën drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e mbledhur për të 71-ën herë në Nju-Jork të ShBA-së, tha se Kombet e Bashkuara duhet të reformohen për të rritur efektivitetin e aktiviteteve të organizatës në drejtim të ndërtimit dhe mbrojtjes së paqes.

Me çdo rast ne i rikujtojmë opinionit publik ndërkombëtar realitetin që “Bota është më e madhe se 5”, u shpreh kreu i shtetit turk, duke shtuar se kushtet e sotme nuk janë të njëjta me periudhën kur është krijuar Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Nuk mund ta ‘ndëshkoni’ botën me fjalët që do të dalin nga goja e 5 vendeve”, theksoi Erdoan.

Në çerekun e parë të shekullit të 21-të njerëzimi po përjeton periudhën më të mirë të historisë së vetë në aspektin e arritjeve shkencore, teknologjike, ekonomike dhe kushteve shëndetësore, por kjo panoramë e ndritur ka edhe një anë të errët dhe të turpshme, cilësoi Erdoan.

Me qindramijëra fëmijë, të rinj, gra dhe të moshuar vazhdojnë të vriten në Irak, Siri dhe vende të tjera, të cilat janë nën kthetrat e terrorit dhe të luftës. Refugjatët, të cilët ikin nga lufta, vdekja dhe padrejtësia, përballen në qytetet e Evropës me një sjellje të pahijshme dhe poshtëruese, vijoi ai.

Organizatat terroriste sot mund të përdorin metoda nga më të ndryshmet, u shpreh Erdoan, duke rikujtuar tentativën e grushtit të shtetit, me të cilën u përball Turqia natën e 15 korrikut, tentativë e ndërmarrës nga Organizata Terroriste fethullahiste (FETO).

“Kjo tentativë për grusht shteti u eliminua nga populli ynë, i cili i doli për zot demokracisë së tij, qeverisë, lirive, të ardhmes së tij dhe rendit kushtetues. Në këtë aspekt unë jam krenar për popullin tim”, nënvizoi Erdoan, ndërsa shtoi se kjo tentativë për grusht shteti njëherësh ishte kryer edhe ndaj demokracisë botërore.

“Populli ynë atë natë, ndërkohë që nga njëra anë u dha një mësim të mirë entuziastëve të puçit, nga ana tjetër u bë burim frymëzimi për të gjithë popujt që kanë besim tek demokracia. Kjo organizatë terroriste e gjeneratës së re përbën një kërcënim të sigurisë kombëtare jo vetëm për Turqinë, por për të gjitha 170 vendet ku ajo është prezente”, tha Erdoan.

Lideri turk u bëri thirrje të gjitha vendeve që për sigurinë e tyre të marrin me shpejtësi masat e duhura kundër FETO.

Në qoftë se nuk luftoni në këtë fazë me FETO, atëherë nesër mund të jetë shumë vonë. Me këtë rast dua të qartësoj edhe të se shprehjet “Turk”, “Turqi” që përdoren nga institucionet e kësaj organizate apo nga persona të varur prej saj nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me vendin tonë”, nënvizoi Erdoan.

Kriza humanitare në Siri po i afrohet vitit të 6-të të saj, tërhoqi vëmendjen Erdoan në vijim të fjalimit të tij duke nënvizuar se Turqia do të vazhdojë ti mirëpresë si mysafirë sirianët që detyrohen të braktisin atdheun e tyre.

Erdoan tha se shpenzimet që ka bërë deri më sot Turqia për sirianët e strehuar në tokat e saj kanë arritur në 25 miliardë dollarë, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian (BE) dhe Kombet e Bashkuara (OKB) nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre lidhur me sigurimin e burimeve materiale.

Erdoan iu drejtua edhe të gjithë liderëve evropianë, që i konceptojnë refugjatët sirianë si një kërcënim jetik ndaj tyre.

“Është një përpjekje e kotë të kërkosh qetësi prapa telave me gjemba dhe mureve të lartë. Në qoftë se nuk gjejmë me shpejtësi zgjidhje për problemet që kanë refugjatët sirianë, si: arsimim, punësim dhe strehim, atëherë nuk mund të parandalojmë emigracionin e parregullt, problemet sociale dhe rreziqet e sigurisë. Nuk mund të humbasim më shumë kohë për ti dhënë fund situatës konfliktuale, terroriste dhe tiranike në Siri, e cila është edhe burimi i problemit, dhe për të vënë në jetë procesin e zgjidhjes politike”, – tha Erdoan.

Në fjalimin e tij drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork Presidenti Erdoan foli edhe për operacionin “Mburoja e Eufratit” që Forcat e Armatosura Turke kanë filluar më 24 gusht në Siri.

“Operacioni Mburoja e Eufratit, i filluar me mbështetjen që i japim opozitës siriane, bart një rëndësi kritike në aspektin e rivendosjes së stabilitetit, qetësisë dhe ekuilibrit në një rajon ku dominon mungesa e shpresës. Me këtë operacioni doli në dritë se lufta me DAESH-in nuk përbën prioritet për organizatat terroriste PKK, PYD”, tha Erdoan.

Për një kohë të gjatë Turqia bën thirrje për krijimin e një zone të sigurt përgjatë kufirit me Sirinë, theksoi Erdoan, ndërsa shtoi se qëllimi i operacionit Mburoja e Eufratit është të bërë realitet në terren këtë zonë të sigurt.

Aktualitet

Archives