Stadiumi “Loro Boriçi”, miliona euro të hedhura kuturu

Lojëtarëve të Vallaznisë dhe Kukësit iu deshën të presin 6 minuta në errësirë në “Loro Boriçi”. Dritat u fikën teksa ndeshja po luhej. Edhe ata tifozë të paktë që ishin në stadium, për të parë ndeshjen e parë të ekipeve të tyre për këtë sezon, u larguan.

“Madhështia” e stadiumit të Shkodrës, për të cilin janë shpenzuar 22 miliardë lekë të vjetër apo thuajse 15 milionë euro, ra për herë të dytë pa kaluar java.

Javën e shkuar u ndërpre në minutën e 75 –të ndeshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, i pari takim i Grupit G për kualifikueset e Botërorit 2018 të Rusisë.

Furtuna që përfshiu Shkodrën e bëri të pamundur lojën. Jo se reshjet e shiut nuk ka ndërprerë ndonjëherë ndeshje futbolli, por në Shkodër lojën e bëri të pamundur era që futej nga të katër anët nga çarjet e pakuptimta që janë lënë në anën perëndimore të stadiumit që ka kushtuar aq sa duhet për të rikonstruktuar një autostradë. 1.7 milionë euro do të kushtojë zgjerimi i pjesës së palmave në autostradën Tiranë – Durrës.

Ndërprerjet e dy ndeshjeve, për dy shkaqe të ndryshme, janë rezultat i punëve të kryera me nxitim, i afateve të vendosura për “kapriço”, i shpenzimeve marramendëse pa plan, e sfidës që një njeri i vetëm në krye të qeverisë i bën logjikës dhe arsyes.

“Loro Boriçi” duhej rikonstruktuar, ashtu siç duhet ribërë stadiumi i Durrësit, ai i Vlorës, i Korçës, etj. Por po t’i kryesh punimet me nxitim vetëm pse aty synon të presësh ndeshjen e parë të Serbisë në shtëpi, do të duhet t’i bësh llogaritë edhe me të tilla pasoja. Dhe nuk janë vetëm këto!

Stadiumi 22 miliardësh nuk ka një parking. 22 miliardë lekë janë shpenzuar për tribunën vip dhe për betonin e tribunave të tjera.

Rrugët që përdorin tifozët për të vajtur në stadium janë rrugë lagjesh. S’ke asnjë mënyrë për të parkuar.

Këto rrugica nuk përballojnë dot as fluksin e tifozëve, siç u pa në ditën e rrebeshit të shiut në ndeshjen me Maqedoninë.

Fushës, në anët e saj, i mungon pista e tartanit. Në vend të tij është hedhur beton. E paimagjinueshme kjo për një shpenzim prej 22 miliardë lekësh.

Për të vajtur në Shkodër, për të ndjekur një ndeshje të kombëtares, tifozët jo vetëm duhet të bëjnë disa qindra kilometër rrugë, por u duhet të udhëtojnë në një rrugë dykalimshme që nuk e përballon dot fluksin.

Pjesa më e madhe e 16 mijë tifozëve që mban ky impiant, vijnë nga rrethe të tjera dhe jo nga Shkodra. Një radhë e gjatë makinash u pa në ndeshjen me Maqedoninë.

Arsyen përse kombëtarja duhet t’i luajë ndeshjet zyrtare në Shkodër, ndoshta e gjejmë në një deklaratë të kryeministrit Edi Rama, të bërë në 3 maj të vitit 2015, kur inaguroi fillimin e punimeve.

“Shkodra e meritonte këtë stadium në nderim të emrit që mban stadium. Futbolli e ka origjinën në Shkodër.  Objektivi është të realizojmë në kohë që të mirëpresim komshinjtë. Besoj se do ia dalim”.

Komshinjtë luajtën në Elbasan më 8 tetor 2015, në një stadium që e përballoi më së miri fluksin dhe Rama nuk ia doli t’i çojë në Shkodër. Po të ishte bërë stadiumi që në tetor 2015, kushedi ç’pasoja të tjera do kishte prodhur turravrapi për ta bërë impiantin në afatin e dhënë nga kryeqeveritari.

Stadiumi i Shkodrës u inagurua thuajse një vit më vonë nga kjo ndeshje. Dhe arsyeja e vonesës ishte prapë nxitimi i qeverisë për ta bërë me çdo kusht sa më shpejt “Loro Boriçin” gati. Sepse, teksa paratë po shpenzoheshin pa hesap për betonin e tribunave e bojatisjen e stolave, qeveria nuk gjeti dot mënyrën për të dëmshpërblyer disa shtëpi që janë përreth.

Bashkia e Shkodrës thotë se shtëpitë janë të ligjshme dhe se çmimi i vendosur nga qeveria për dëmshpërblim është qesharak, i pajustifikueshëm. Dhe për këtë arsye banorët refuzojnë.

Ngërçi me shpronësimet ka vetëm një arsye: vlera e shpronësimit. Një vlerë disa herë më e ulët sesa rikonstruksioni i stadiumit.

Rikonstruksioni i stadiumit përfshinte një kompleks punimesh. Pjesë kryesore e tij ishte parkingu. UEFA e kërkoi të shkruar të zezë mbi të bardhë: Një parking vip me të gjitha parametrat e sigurisë, prej të paktën 150 vendesh, duhet të ishte gati. 150 vende mezi i gjen në këmbë sot para stadiumit. Sepse pak hapa më tutje rrezikon të hysh në derën e ndonjë shkodrani autokton.

Kryeministri Rama thotë se stadiumin po e bënte për Shkodrën. Por në fakt, shpejtësia dhe cilësia lënë të dyshosh për abuzime financiare. Nëse vërtet do të bëjë diçka për Shkodrën, Rama duhet të rrisë buxhetin për Bashkinë, që e ka edhe më të vogël se Librazhdi. Kryetarja Voltana Ademi e ka akuzuar publikisht se kryeministri e ka kërcënuar që nuk do t’i çojë Shkodrës asnjë financim që u nevojitet realisht qytetarëve. Ajo ia tha këtë edhe para kamerave,ditën e inagurimit: stadiumi nuk ishte gjëja më e rëndësishme për Shkodrën në një kohë kur mijëra familje shkodrane nuk kanë as bukë për të ngrënë.

Aktualitet

Archives