Turqi: Shfaqet për herë të parë shefja e policisë me shami koke

Veç pak ditë kanë kaluar që prej botimit në Fletoren Zyrtare të Turqisë të rregullores së re që ua lejon punonjëseve të policisë të mbajnë shami koke së bashkë me uniformën e tyre, dhe sot është shfaqur për herë të parë në publik një e tillë.

Një shefe e policisë turke ka marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores ndërsa si pjesë të uniformës së saj kishte dhe shaminë e kokës.

Ceremonia ku qe pjesëmarrëse shefja e policisë me shami koke u zhvillua në Taksim të Stambollit, ndërkohë që në një ceremoni të ngjashme në Ankara, pjesë e forcave të sigurisë që e ruajnë presidentin Erdogan ishte po ashtu një punonjëse me të njëjtën veshje.

Femrat që mbajnë shami koke, apo hixhab, janë lejuar së fundi në Turqi t’u bashkohen forcave policore, në përputhje me rregulloren e re të uniformës.

Ndalimi i mbajtjes së shamisë së kokës në institucionet shtetërore qe hequr në shtator të vitit 2013. Një nismë e Erdoganit, ajo u pa asokohe si një kundërvënie e hapur ndaj vlerave shekullare të vendit.

Aktualitet

Archives