Një vendim fatal historik

Pa asnjë dyshim, Kosova gjendet në njërin nga momentet më të vështira të saj. Në 1 shtator është parashikuar të zhvillohet Mbledhja e Parlamentit të Kosovës për të miratuar vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, e njohur edhe si Demarkacioni.

Kjo është dita kur deputetët e Pozitës dhe të Opozitës do të vendosin për njerën nga ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve në Kosovë, pranimi ose jo i saj, cilidoqoftë versioni, do të sjellë, ashtu si pritet zhvillime të reja politike, shoqërore dhe, ka mundësi, tejet konfliktuale.

Ndarja është më e qartë se kurrë: Pozita, të paktën në deklarimet e përbashkëta të Grupeve parlamentare, është pro miratimit të Demarkacionit. Ajo, edhe kur në qeverisje ishte zoti Thaçi, edhe tani kur ai është president, ka qenë zanafilla e kësaj Marrëveshjeje dhe në mendimin e saj politik, por edhe gjeostrategjik, miratimi i Demarkacionit, është i domosdoshëm dhe përmes tij, Kosova, nuk humbet asnjë metër katror tokë të saj.

Opozita, por edhe një shumësi e mendimit intelektual ngul këmbë dhe është e vendosur për mos miratimin e Demarkacionit. Këtë e ka thënë publikisht, me forcë dhe, si duket, është e vendosur të qëndrojë deri në fund besnike e mendimit të saj.

Ajo do të përdorë të gjitha format e jetës politike, por edhe më tej se kjo, për të bërë të pamundur miratimin e një kufiri, i cili, sipas mendimit të saj dhe të shumë specialistëve rreth saj, apo edhe jashtë saj, humbet mbi 9 mijë hektarë tokë, të cilat janë vazhdë e tkurrjes e kombit tonë në dobi të fqinjëve. Edhe kur ato kanë qenë agresorët e dikurshëm, edhe kur atyre u janë dhënë hapësira të mëdha shqiptare, pas marrëveshjeve të turpshme.

Ndryshe nga sa më parë, kur marrëveshjet për copëzimin e viseve shqiptare bëheshin jashtë saj dhe pas vendimeve kishte përleshje të përgjakura, kësaj here, ato që do të vendosin do të jenë vetë shqiptarët. Fund e majë mund të jetë dora e tyre e ngritur që përmes saj të kalojnë mijra hektarë tokë në pronësi të malazezëve dhe kjo do të jetë jo më një dhuratë nga qielli, por një vendim, i cili, edhe po të jetë gjysmë i imponuar, përsëri është i dëmshëm.

Aq i dëmshëm, sa që nuk zhbëhet më. Mund të jetë një vendim fatal historik.

Dëgjuam me vemendje deklaratën e një zonje të nderuar të Parlamentit Europian, e cila, pa asnjë mëdyshje, pra duke e ditur fare mirë se po bën presion mbi deputetët shqiptarë, theksoi se nuk mund të ketë liberalizëm të vizave, nëse nuk kalon Demarkacioni.

Pak për të thënë, por kjo është e turpshme për një Zonjë të nivelit të saj.

Po sikur, njëzet vite më parë, dikush t’i kishte vënë këtë kusht vendit të saj të lindjes, kur shkërmoqej Jugosllavia dhe gjaku kishte filluar të zinte vendin e debatit politik?

Pozita, megjithëse mes saj mund të ketë jo pak deputetë që nuk do e miratojnë Demarkacionin, e ka shpallur vendimin e saj.

Në mesin e saj disa deputetë nuk do e miratojnë duke u nisur nga ajo që mund të cilësohet përkushtimi kombëtar. Nëse e bëjnë për këtë, edhe në se janë të gabuar, mirë bëjnë. Të paktën gabojnë në një çështje të madhe.

Në Pozitën e sotme do të ketë edhe të tjerë që fillimisht do të thonë se nuk e miratojnë dhe pastaj dotë fillojnë pazaret, si ndodhi në rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ngurruan , jo se kishin dyshime, por vetëm për çmimin me të cilin do të shiteshin.

Ata, në fund të seancës do e miratojnë, por përmes figurës së tyre mund të shihet se sa lehtë mund të shesin vendin e tyre, kur shesin votën që kanë marrë si mandatarë të popullit të tyre.

Shqetësimi i ndërkombëtarëve, të cilët ngulmojnë për votën PRO demarkacionit nuk është vetëm Kosova. Më mirë se kushdo ata e dinë se pas kësaj vote, gjendja nuk do të jetë si më parë. Protestat do të mund të jenë të fuqishme dhe trimat e sekretarit organizativ të VV, Dardan Molliqaj, që mori edhe shtetësinë shqiptare, mund të jenë përsëri në rrugë. Kërcënimi i tij se kur VV do të vijë në pushtet do të bëjë burgosjet dhe sekustrimet, pa pyetur për gjykatat, nuk është larg asaj që mund të quhet dhunë politike sot e nesër dhunë pushtetore. Sa më shpejt që VV të distancohet publikisht nga deklarata të tilla, aq më mirë është.

Shqetësimi i ndërkombëtarëve është edhe Mali i Zi. Në tetor aty do të bëhen zgjedhjet e reja parlamentare dhe dy forcat ballë njëra tjetrës; ajo në pushtet, më afër perëndimit, dhe ajo në opozitë, më afër Rusisë, çështjen e Demarkacionit do e kenë kartën e tyre themeltare.

Perëndimi kërkon të tërheqë pas vetes klasën politike moderatore të Malit të Zi, megjithëse thellësisht e korruptuar. Ajo ka në programin e saj një aleat të ri të NATO-s, por nëse mendohet se kjo mund të bëhet në dëm të së vërtetës, do të jetë një faj që nuk do të lehtësohet kaq shpejt.

Nëse Demarkacioni nuk miratohet, është e mundur të bjerë qeveria, opozita të kërkojë urgjentisht zgjedhje të reja dhe, njëkohësisht të ngritë aktakuzë ndaj Hashim Thaçit për lëshimin e territoreve kombëtare. Ajo që mund të ndodhë, sëbashku me fillimin e punës së Gjykatës Speciale, as nuk mund të merret me mend.

Deri këtu kemi pasur parasysh që të dhënat e ofruara nga Opozita janë të sakta.

Po sikur të jenë të sakta të dhënat e afruara nga Komisioni i veçantë, nga përfaqësia ndërkombëtare dhe nga Pozita.

Deklarimet  e tyre pro Demarkacionit nuk janë vetëm fjalë të zakonshme politike, por ka edhe një trajtesë nga njerëz të besueshëm për ndjenjat e tyre kombëtare dhe për përcaktimet e tyre ndaj Kosovës.

Nëse ata kanë të drejtë dhe Opozita e hedh poshtë thjeshtë për të krijuar premisat politike të marrjes së pushtetit, atëherë nuk do të kemi më një aspiratë kombëtare, por një përmbysje të besimit , thjeshtë për të arritur tek pushteti.

Opozita deri tani vetëm ka protestuar, ka ngritur flamurë që i ka braktisur pas një minute, ka shtënë mbi institucione, ka hedhur gaz lotsjellës, po merret me RTK dhe drejtorin e saj, po cilëson krerët e shtetit dhe të pushtetit si kriminelë dhe tradhtarë, por nuk po tregon konkretisht se ku është humbur, në cilin skaj, cilën lëndinë, cilin mal, cilën kullotë, ujrat që humbasim, si ishin dikur dhe si po vendosen.

Në fakt, një pjesë e Opozitës po rend drejt pushtetit me çdo kusht. Për disa nga ata, edhe sikur të kishte hyrë kufiri mijëra hektarë në bjeshkët e Malit të Zi, ata përsëri do të kërkonin një kauzë politike dhe do të kërkonin të gjitha viset shqiptare të dikurshme. Mirë do të ishte sikur të ktheheshin ku e kanë vendin, por këto janë llogari politike e jo realitete historike.

Si do që të ndodhë, njëra pjesë e politikës në Kosovë, në mbrëmjen e 1 shtatorit, do të jetë e humbur.

Pak rëndësi ka se cilët do të humbin, e rëndësishme është që Kosova të mos humbasë asnjë metër të saj, sepse ka pasur edhe kështu mjaft humbje të mëdha.

Ajo që të shqetëson në këtë prag të rindarjes është qëndrimi i Malit të Zi, që edhe përmes luftës, të ruajë kufijtë e Demarkacionit. Të kishte qenë se nuk fitonte gjë, as nuk do të kishte lëvizur nga vendi. Të kishte qenë se humb diçka, nuk do të ishte kaq e qetë. Droja është se ata e dinë më mirë se shqiptarët se çfarë fitojnë dhe çfarë humbasin.

Aktualitet

Archives