Erdogan në mbyllje të Samitit të OBI-t

istanbul-sammit

Erdogan në mbyllje të Samitit të OBI-t: Problemi i Palestinës, kauzë e botës islame

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se pranimi i Problemit të Palestinës si kauza e botës islame është një provë maksimale e mbështetjes, që bota islame i jep rezistencës së denjë dhe të ndershme të palestinezëve.

Kreu i shtetit turk vuri theksin mbi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit të botës islame gjatë fjalimit të tij në seancën e mbylljes së Samitit 13. të Organizatës së Bashkëpunimit Islamit (OBI), që u mblodh për dy ditë në Stamboll.

Ai tha se tabloja vëllazërore, që u demonstrua gjatë punimeve të këtij samiti, përcjell një mesazh domethënës.

“Vëllezërit tanë palestinezë nuk i kemi lënë kurrë vetëm deri më sot dhe, me lejen e Zotit, nuk do t’i lëmë asnjëherë vetëm. Bashkëpunimi, uniteti dhe solidariteti janë gjërat më të rëndësishme, për të cilat kemi nevojë që të kapërcejmë kushtet e vështira në botën islame”, u shpreh lideri turk.

Erdogan njoftoi gjithashtu se Turqia do t’i dhurojë 2 milionë dollarë Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.

Përveç draftit të rezolutës për Palestinën, në seancën mbyllëse të këtij takimi të nivelit të lartë të OBI-t u miratuan edhe Plani i Veprimit 2016-2025, Komunikata Përfundimtare e Samitit të 13-të, si dhe Deklarata e Stambollit.

Komunikata Përfundimtare e Samitit nënvizon përforcimin e unitetit dhe solidaritetit ndërmjet vendeve islame, si dhe bën me dije se do të vazhdojnë përpjekjet në lidhje me zgjidhjen e Problemit Palestinez dhe për të siguruar që Xhamia Al-Aksa të mbetet përfundimisht territor islam.

Po ashtu, komunikata dënon pushtimin izraelit të territoreve palestineze; thekson domosdoshmërinë e themelimit të një shteti palestinez të pavarur me kryeqytet Jerusalemin dhe u bën thirrje të gjitha vendeve anëtare të OBI-t që të njohin Palestinën si shtet të pavarur.

Në fund, Komunikata Përfundimtare e Samitit 13. të OBI-t tërheq vëmendjen edhe mbi luftën kundër organizatave terroriste si DAESH, Al-Kaida dhe PKK/PYD/YPG; ndërsa vendeve perëndimore u drejton apelin: “Merrni masat e duhura për të luftuar kundër islamofobisë!”

Aktualitet

Archives