Miratohet reforma në drejtësi -Ndryshimet kushtetuese me konsensus, çfarë ndodh më pas…?

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë të hënë seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar për të rinisur punimet sërish në shtator. Megjithëse, ishte paralajmëruar se do të miratohen 7 ligjet që i bashkëngjiten ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, me sa duket miratimi i tyre do të shtyhet.

Drafti Kushtetues i miratuar në Kuvend me unanimitet të plotë është vetëm fillimi i një reforme rrënjësore por dhe një punë kolosale parlamentare për sistemin e drejtësisë. Janë pothuajse 40 projektligje që duhet të merren në dorë nga ligjvënësit për t’u përshtatur me ndryshimet e reja kushtetuese dhe në një pjesë të mirë të hartohen nga e para.

Por duket se intensiteti i reformës në drejtësi do të rinisë me sesionin e ri parlamentar në shtator me diskutimin e  paketës ligjore e vlerësuar si emergjente për fillimin e implementimi të reformës në drejtësi.

Janë 7 ligje të cilat mazhoranca dhe ekspertët e nivelit të lartë i kanë hartuar dhe i kanë përfunduar, por për shkak se Partia Demokratike nuk ka marr pjesë në diskutimin e tyre, pritet që t’i rikthehen sërish debatit.  Kjo paketë ligjore mund të miratohet vetëm në shtator pasi ta hyjë në fuqi Kushtetuta e re.

Rregullorja përcakton se pas miratimit në parlament kushtetuta e re zbardhet, dhe më pas i përcillet presidentit për aprovim. Presidenti ka 20 ditë kohë ta aprovojë ndërsa nuk mund të shprehet kundër. Pas aprovimit të presidentit, Kushtetuta botohet në fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh.

Në rastin më të mirë, Kushtetuta e re e Shqipërisë mund të marr fuqi deri në 21 gusht.  Kur drafti kushtetues po shkonte drejt fundit, kryetari i opozitës Lulzim Basha, urdhëroi përfaqësuesit demokratë  dhe ekspertë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, që të shqyrtojnë dhe të hartojnë një opinion të hollësishëm  për secilin nga 7 ligjet. Puna ka nisur dhe burime pran Partisë Demokratike bënë me dijë se dosja e oponencës dhe amendimeve është drejt përfundimit.

Projektligji “Për Gjykatën Kushtetuese”

Projektligji “Për rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”

Projektligji “Për organizimin e gjyqësorit”

Projektligji “Për organizimin e prokurorisë”

Projektligji “Për mirëqeverisjen e organeve të drejtësisë”

Projektligji  “Për SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”

Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve”.

Aktualitet

Archives