Reforma në Drejtësi, Nuland: Miratimi prioritet; Basha s’tërhiqet: Kemi bërë tre propozime

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, e cila ka vizituar Tiranën këtë të diel, në një axhendë të ngjeshur me në fokus Reformën në Drejtësi ka theksuar gjatë takimit me ministrin e Jashtëm, Ditmit Bushati, se Reforma në Drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së.

Më pas ajo ka zhvilluar edhe një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit ky i fundit ka këmbëngulur se reforma në drejtësi duhet të bëhet me miratimin e dy palëve politike, por nuk ka shenja tërheqjeje nga qëndrimi i mëparshëm i PD.

“PD ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për reformën në drejtësi. Sot ka mbetur një çështje që ndan palët”, u shpreh Basha pas takimit me Nuland.

Më tej ai shton se PD e ka bërë të qartë qëndrimin e saj duke kërkuar zbatimin në mënyrë të plotë të rekomandimit 88 dhe ka bërë 3 propozime: “I pari ai i vendeve të rezervuara, i dyti i listave alternative dhe propozimin tonë të tretë i bërë publik të premten. Jemi të bindur se kjo reformë do të mund të miratohet vetëm me konsensus politik mes palëve. Ndaj PD ka lëvizur nga pozicionet e mëparshme, por ka mbetur e palëkundur nga rekomandimi 88. Jemi të hapur, ftojmë palën tjetër”, tha kryetari i PD për gazetarët, pas takimit me zyrtaren amerikane Victoria Nuland.

Përgjatë javëve të shkuara, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit ka pasur kontakte të vazhdueshme me kreun e PD-së për të mësuar mbi ecurinë e reformës së konsideruar jetike për Shqipërinë, por edhe për propozimet e opozitës.

Vizita 4-orëshe zyrtare e Victoria Nuland në Tiranë mbyllet me takimin në Kryeministri, me kreun e Qeverisë Edi Rama, të sapokthyer nga Varshava. Vizita në Tiranë e zonjës Nuland është e para, pas asaj në shkurt, kur zyrtarja shoqëroi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili qëndroi në kryeqytetin shqiptar vetëm për pak orë, ndërkohë që vjen vetëm pak ditë përpara se në Kuvend të miratohet drafti përfundimtar i Reformës në Drejtësi.

Aktualitet

Archives