Deputeti gjerman: Nëse nuk e doni reformën në drejtësi, tërheqim statusin kandidat

Nëse reforma në drejtësi nuk miratohet me 21 korrik, afati përfundimtar që është artikuluar nga faktori ndërkombëtar, Shqipëria jo vetëm humb shansin për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian por rrezikon që ky i fundit ti heqë statusin e vendit kandidat.

Paralajmërimi erdhi nga deputeti gjerman dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i cili po viziton vendin tonë.

Ne ju mbështesim, keni marrë statusin. Por nëse na krijohet përshtypja se ju nuk e doni reformën mund të marrim vendim për t’ju hequr statusin e kandidatit, u shpreh Krichbaum

Deputeti gjerman apeloi më tej palët politike që të tregojnë përgjegjësinë e duhur pasi durimi i tyre nuk është i pafund. Sikundër saktësoi se “një vend ku Qeveria ushtron presion tek drejtësia nuk mund të jetë vend i BE”.

“Jam në Shqipëri për një mision faktmbledhës për reformën në drejtësi. Nuk mund të mendohet asnjë vendimarrje pa miratimin e Bundestagut. Shqipëria duhet të zbatojë reformat. Qeveria dhe Parlamenti gjerman ju mbështet në rrugën drejt BE. Kam takuar Ramën dhe Bashën. E rëndësishme është që në fund të proçesit të kemi një reformë që të gjejnë veten të gjitha palët e përfshira. Për reformën është ofruar mbështetja e BE dhe qeverisë federale. Opozita është e angazhuar në proçeset e reformave, veçanërisht atë të drejtësisë.

Në 21 korrik do të merret një vendim. Të shmangin që Komisionit Europian të mos i humbasë durimi. Opozita të ecë në të njëjtën rrugë dhe të gjejë kompromis. Edhe në vendin tuaj reforma duhet të jetë e pavarur. Një vend ku Qeveria ushtron presion tek drejtësia nuk mund të jetë vend i BE. Prandaj duhet që reforma të ofrojë pavarësi”,  tha Krichbaum.

Aktualitet

Archives