E bujshme/ De Biasi e pranon: Jam gati për të marrë Anglinë

Largimi i Roi Hoxhson nga drejtimi i përfaqësueses angleze, i ka hapur rrugën shumë trajnerëve të synojnë postin në pankinën e “tre luanëve”. Mes kandidatëve dëshiron të vendosë emrin e tij edhe Xhani De Biazi, i cili në një interviste të dhënë për “Radio 1 Rai”, ka uruar që një hipotezë e tillë të bëhet realitet. I pyetur nëse ekzistonte mundësia që të largohej nga Shqipëria për të marrë drejtimin e Anglisë, kjo ishte përgjigja që dha tekniku i kuqezinjve.

“Ekziston si mundësi, nuk e di se sa e realizueshme është, por ekziston. Unë uroj që të ndodhë”, ishin fjalët e tij.

Ai ka shpjeguar se klauzola e vendosur në kontratë me FSHF-në, ia bënte gjërat më të thjeshta, ndonëse ndarja nga Shqipëria do të ishte gjithmonë shumë e vështirë.

“Kam një klauzolë për të prishur kontratën me Shqipërinë, është një nga pikat kryesore që kam vënë  kur kemi bërë rinovimin. Mund të largohem në çdo moment pa probleme. Në fakt probleme do të kisha, pasi krijohen disa lidhje që të detyrojnë të bësh zgjedhje me shumë vështirësi”.

Trajneri është i bindur se me eksperiencën e krijuar te Shqipëria, mund të drejtojë çdo kombëtare, mes të cilave edhe atë italiane pasi të largohet Ventura.

“Kam qenë shumë pranë pankinës së Italisë. Do të më kishte pëlqyer, do të ishte budallallëk të thosha të kundërtën. Një italian dëshiron gjithmonë të drejtojë kombëtaren e tij. Mendoj se katër vitet eksperiencë me Shqipërinë më japin një vizion të një tipi të caktuar për të punuar brenda një federate”, – theksoi ai.

Aktualitet