Elementet dalluese të civilizimit Islam

Civilizimi njihet si: “Një sistem shoqëror që e ndihmon individin në shtimin e produktivitetit të tij kulturor”. Kështu, civilizimi ngrihet në katër elemente bazë të cilat janë: burimet ekonomike, sistemet politike, traditat e trashëguara dhe ndjekja e shkencave dhe arteve. Ndërsa vazhdimësia dhe progresi i civilizimit lidhet me faktorë të ndryshëm gjeografik, ekonomik, psikologjik, fetar dhe gjuhësor. Faktorët e kundërt që çojnë në rrënimin e civilizimit janë shthurja morale e intelektuale, përplasja mes ligjeve dhe sistemeve, përhapja e padrejtësive, varfërisë, pesimizmit, indeferentizmit, mungesa e orientuesve të specializuar dhe udhëheqësve të drejtë.

Civilizimi ka lindur me vetë njeriun dhe është një hallkë lidhëse që kalon nga një bashkësi në tjetrën dhe nuk lidhet me një vend apo etni të caktuar. Ai nuk lidhet me faktorët që I përmendëm më sipër, ku do shohim se nuk ka asnjë bashkësi që të mos ketë lënë gjurmë në historinë civilizuese. Ajo që e dallon një civilizim nga një tjetër është forca e bazave në të cilat është ngritur  ky civilizim dhe ndikimi e përfitimi nga njerëzit. Kur civilizimi është gjithëpërfshirës në mesazhin e tij, njerëzor në karakterin e tij, etik në orientimin e tij dhe realist në parimet e tij, ai do të jetë me jetëgjatë dhe më I vlerësuar.

Civilizimi islam është një hallkë në zinxhirin e civilizimeve njerëzore të cilin e kanë paraprirë dhe e ndjekin civilizime të tjera. Në ngritjen e tij ka pasur faktorë, ashtu siç ka pasur shkaqe në rënien e tij, por nuk kemi këtë si qëllim. Ne duam të flasim për rolin e tij në historinë njerëzore dhe çka ofroi në fushën e besimit, të dijes, në fushën e moralit dhe qeverisjes, në art dhe letërsi nëpërmjet individëve nga popuj e vende të ndryshme.

Ndër elementet më dallues të civilizimit islam janë:

Veçoria e parë është se ai është i ngritur në bazën e monoteizmit në besim dhe ai është i pari që thërret në adhurimin e vetëm të Zotit në gjykim dhe sundim, që  është Ai që e meriton adhurimin dhe qëllimin e vetëm  “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” [ El- Fatiha 5].  Është Ai i cili lartëson dhe poshtëron, jep dhe ndalon dhe se çdo gjë në qiej dhe në tokë është në pushtetin e Tij.

Ky lartësim në të kuptuarit e monoteizmit ka ndikim në ngritjen e nivelit njerëzor dhe çlirimin e tij nga despotizmi i monarkëve, i parisë, i të fortëve e njerëzve të fesë dhe rregullimin e marrëdhënieve mes njeriut dhe Zotit të tij, i cili është Krijuesi dhe Zoti i botërave. Ndikim dhe specifikë dalluese mes saj dhe civilizimeve të tjera si ato të mëparshmet dhe ato që vijnë pas tij është zhveshja e tij nga të gjitha fenomenet, filozofitë dhe qasjet pagane në besim, qeverisje, art, poezi dhe letërsi. Ky është sekreti i refuzimit të përkthimit të “Iliadës” dhe kryeveprave të letërsisë pagane greke dhe kjo është e fshehta e mosangazhimit të civilizimit islam në artet e skulpturës dhe pikturës dhe dallimin e tij në artet e gdhendjes dhe dekorimin e ndërtimeve.

Ky unifikim në kredon islame karakterizohet në të gjithta pjesët e civilizimit islam dhe për këtë gjejmë unifikim në mesazh, legjislacion, qëllimet e synuara, rolin e njeriut,  në mjetet e jetesës deri në stilin e të menduarit. Hulumtuesit e arteve vërejnë një model  të njëjtë deri edhe në shije të fildishit andaluzian, pëlhurës egjiptiane, poçerisë siriane dhe metaleve iraniane, që edhe pse në lloje, modele dhe dizanje të ndryshme kanë karakteristika të njëjta.

Karakteristikë e dytë e civilizimit islam është se ai ka qasje humane dhe universale në mesazh. Në lidhje me këtë shohim që Kurani nxiti për unifikimin e racës njerëzore pavarësisht nga prejardhja dhe vendi, në fjalën e Allahut të Lartëmadhëruar: “O njerëz! Në të vertëtë, Ne ju krijuam ju nga një mashkull dhe një femër dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuar prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij” [ Surja El Huxhurat 13].

Kur Kurani deklaroi unifikimin e racës njerëzore universalisht dhe kjo në rrafshin e së drejtës, së mirës dhe të dobishmes, e bëri civilizimin e tij një kontratë në të cilin sistemohen të gjitha gjenitë e popujve dhe kombeve mbi të cilat valëvitet flamuri I çlirimeve islame. Çdo civilizim mund të krenohet me gjenitë e një populli apo kombi, ndërsa civilizimi islam krenohet me të gjithë gjenitë që ngritën kështjellën e tij si: Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ahmedi, Halili, Sebeviu, El Kindi, El Gazali, Farabi, Ibn Rrushdi e të tjerë, me prejardhje e kombësi të ndryshme, të cilët i dhanë civilizimit islam produktin më të mirë njerëzor.

Veçori e tretë e civilizimit islam është se vlerat morale janë boshti kryesor në të gjitha sistemet dhe fushat e veprimit dhe refuzon kategorikisht të heqë dorë nga këto parime apo t’i bëjë mjet për përfitime të një vendi apo grupi njerëzish. Ato janë të pranishëm në qeverisje, legjislacion, dije, luftë, paqe, ekonomi, familje, aspekte në të cilat civilizimi islam arriti kulmin më të lartë të civilizimeve të hershme dhe atyre moderne dhe ka lënë gjurmë të admirueshme duke u bërë civilizimi I vetëm që garanton lumturinë për njerëzimin.

Civilizimi islam është I vetmi që nuk bën ndarjen mes shtetit dhe fesë me gjithë sfidën e përzierjes mes të dyjave, ndryshe nga ajo që I ndodhi Evropës në mesjetë. Në civilizimin islam do të shohim se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, pushtetari është I pari i besimtarëve, gjykimi është i drejtë, legjislacioni kthehet tek ekspertët dhe çdo grup dijetarësh ka specialitetin e tij dhe nuk ka superioritet vetëm se për nga devotshmëria dhe për nga shërbimi publik ndaj njerëzve.

Karakteristikë të fundit që mund të përmendim në civilizimin islam është toleranca fetare e pazakontë të cilën nuk e kanë njohur civilizime të ngritura në bazë të fesë. Dikush që nuk beson në Zot nuk është për t’u çuditur që të gjitha fetë t’i duken të njëjta përderisa ndjekësit trajtohen në mënyrë të barabartë. Por fetari i cili beson se feja e tij është e drejtë dhe se besimi i tij është më i sakti dhe më I vërteti, po t’i jepet mundësia nëpërmjet armëve të pushtojë vende dhe të rrëmbejë pushtetin, të ulet në tribunën e gjyqësorit, besimi në fenë e tij dhe krenaria për besimin e tij nuk kthehet në padrejtësi në pushtet apo në shmangie të drejtësisë apo t’i shtyjë njerëzit në ndjekjen e besimit të tij, ky njeri është i pazakontë në histori. Por si do ishte rasti kur një civilizim I ngritur në baza të parimeve fetare dhe është më toleranti, më I drejti, më I mëshirshmi dhe më humani që ka njohur historia.

Aktualitet